Kurorti
Jo të paktë kanë qënë edhe vizitorët që në një mënyrë ose një tjetër kishin dëgjuar histori shërimi nga sëmundje nga më të ndryshmet falë konsumit të ujit Glina. Të shumtë kanë qënë ata që merrnin rrugën nga të gjithë trevat për të vizituar burimin në fshatin e vogël të Glinës, në jug- lindje të Gjirokastrës për të përfituar kështu nga vetitë kurative të ujit. Nga kjo mori shkas edhe krijimi i Kurortit Terapeutik të Glinës në vitin 1948. Vetëm katër vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kurorti siç mund ta imagjinojmë nuk kishte kushtet më të mira. Ishin dy shtëpi të adaptuara në formën e një qendre kurimi me pak shtretër. Shfrytëzohej çdo vit vetëm nga data 1 prill deri në 15 nëntor me 10 turne që qëndronin nga 21 ditë secili. Kurorti i Glinës funksionoi rregullisht deri në vitin 1991 dhe kuroi mbi 15.000 të sëmurë dhe me të u trajtuan mbi 15 lloje diagnozash përmes positerapisë-konsumit të sasive të caktuara të ujit Glina të pasur me minerale në doza të përcaktuara për 21 ditë.